Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Vitet dymije ne vizionin e Xhuvanit

Publikuar me : 30.08.2011 Ne : Kulture - 26 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Gjergj Xhuvani


Jorida Pasku

Në këto ditë të gushtit regjisori Gjergj Xhuvani ka mbaruar xhirimet e serialit televiziv “Në kërkim të kujt!!!”, prodhim i televizionit Top-Channel dhe po gjurmon vende xhirimesh për një tjetër film. Bëhet fjalë për projektin “Ëngjëjt janë larg”, që u miratua para disa muajsh nga Këshilli Miratues i Projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Mungesa e fondeve në Qendër për këtë vit solli ngërçin e zhvillimit të projekteve dhe regjisorët ende nuk kanë nisur xhirimet.

“Ëngjëjt janë larg”- titulli i parë i filmit- me zhvillimin e idesë mund të ndryshojë edhe ai-është një film për marrëdhëniet njerëzore. Është jeta e një çifti, e një djali sllav dhe një vajzë kosovare, që janë rritur bashkë në vegjëli (në moshën 3 vjeçare) në Kosovën e luftës. Një marrëdhënie që lind, krijohet, merr formë dhe mbart plagët e luftës.

“Është një film që fokusohet në personazhin e femrës. Aty shihet sesi një njeri i vetmuar, i braktisur, fillikat, gjen forcën e madhe që të krijojë një jetë, pa harruar tërë kalvarin e vuatjeve. Gruaja gjen forcë edhe për t’u kthyer në identitetin e saj. Kulla e të Parëve, tanimë e braktisur, mbetet simbol i mbijetesës”, tregon regjisori Xhuvani, që ende nuk është përfshirë nga vala e punës dhe tensioni i xhirimeve.

Filmi bazohet në librin “Dashuri dhe rreckat e kohës”, i autores Anilda Ibrahimi. Pritet të xhirohet në Kosovë, në Kampin e Kukësit, në Zvicër apo Austri dhe një pjesë e xhirimeve do realizohen në Romë, për të reflektuar jetën e personazheve që emigrojnë nga Shqipëria dhe ndërtojnë një jetë në shtet të huaj. Pritet që të fillojë pas një viti.

Ndërkohë që përgatitet për “Ëngjëjt…”, Xhuvani ka gati serialin televiziv “Në kërkim të kujt!!!”. Pritet vetëm muzika, që po krijohet nga Endri Sina. Xhuvani regjisor edhe këtë herë ka bashkëpunuar me të atin shkrimtarin dhe skenaristin Dhimitër Xhuvani, që deri në gjallje të vet e kishte përfunduar versionin e parë të skenarit. Kur punohet me aktorët, skenari pëson edhe ndryshime, duke i përshtatur tiparet e personazheve me të dhënat e aktorëve, duke plotësuar ngjarjet skenë pas skene.

Kur u shfaq “Lindje Perëndim Lindje” në sallën e kinemasë “Millennium”, film që u prezantua si bashkëpunimi i fundit i Xhuvanëve, u fol edhe për një skenar që Dhimitër Xhuvani kishte shkruar për vitin 1997.

“Në kërkim të kujt!!!” ka pak ngjarje të retrospektivës, por jo xhirime të 97-ës.

Është një histori sociale e viteve dymijë dhe fokusi është vendosur në pesë vitet e fundit. Bëhet fjalë për një vrasje që është kryer në kushte jonormale, nga një person që ka shitur shtëpinë, është ndarë me të shoqen, vajza i ka ikur në emigracion dhe pëson një tragjedi. Protagonisti ka mbetur peng i së kaluarës. Nostalgjinë ia zgjon një ndërtesë, shtëpia ku ka lindur. I kërkon të ardhurve në atë shtëpi për të fjetur një natë aty. E lejojnë. Në një moment vetmitar, “miku” kryen vetvrasjen, vetvaret. E zonja e shtëpisë, mendon se është i biri ai që e ka kryer aktin dhe përballë skenës rrënqethëse pëson tronditje, atak në zemër. Njeriu që vari veten shpëton. Po a është ai vrasës? Është njëra linjë e historisë, por aty ndërthuren me njera-tjetrën histori të tjera, krijohen konflikte, marrëdhënie dashurie, por edhe urrejtje. Aty zbërthehen marrëdhëniet mes viktimës, prokurorëve, gjyqtarëve, por edhe përplasen institucionet e drejtësisë me njëra-tjetrën.

Shpjegimet për filmin na kujtojnë një tjetër serial policor, që i mbante mbërthyer shqiptarët në vitet ‘80, “La Piovra”, seriali i njohur i Damiano Damianit. Filmi i Xhuvanit ngrihet mbi një tematikë tjetër. 30 përqind e tij merr shkas nga një ngjarje reale, pjesa tjetër është fiction. “Është pak a shumë si veprat e Georges Simenon-it, ku ka një aksion policesk, por që zbërthen botën sociale të gjithë shoqërisë”, thotë Xhuvani. Filmi nuk ka përmbajtje poltike dhe nuk ka qëllim të “godasë” në atë drejtim, megjithëse skenat më kryesore do të xhirohen në prokurori, gjykatë, polici, burgje, spital, shkollë, rrugët e qytetit, kafene, bare, por ka edhe skena të xhiruara nga ajri në Bari, nëpër kafenetë, në eksteriere, rrugë.

Mesazhi i filmit është i qartë: “Shpërdorimi dhe keqmenaxhimi i lirisë krijon probleme të jashtëzakonshme në një shoqëri”. Me aktorët: Reshat Arbana, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mevlan Shanaj, Kastriot Çaushi, Niko Kanxheri, Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa, Guljem Radoja, Helidon Fino, Genti Hazizi, Ermira Hysaj, me aktorët nga Kosova, Luan Jaha dhe Shkumbin Istrefi, dy djem të sapodiplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, plus edhe 2-3 aktorë italianë. Siç shihet ka një përzierje brezash dhe ka aktorë me të cilët Xhuvani ka punuar në jo pak filma.

Po me çfarë vështirësish u përball Gjergj Xhuvani gjatë realizimit të filmit, të një zhanri ende të paeksploruar nga kinemaja shqiptare? “Për mua ishte eksperienca e parë që të bëja një film me seri. Çdo seri zgjat afro 1 orë e 30 minuta, por edhe më shumë. M’u desh të përballesha me dramaturgjinë. Si çdo film, që gjatë procesit ke nevojë të rindërtosh skenëza të vogla, aq më tepër kur ke 80 personazhe. Personazhet kanë nevojë të plotësohen. Zakonisht kur ndodhte kjo gjë më parë, “më mbulonte” im atë. Duke qenë shkrimtar dhe skenarist, gjatë xhirimeve unë i thosha kjo gjë nuk funksionon. Unë punoja 11-12 orë xhirime, pastaj duhet të shkoja të rishkruaja skenëza, kush do më ndihmonte? Më pëlqen zhanri policesk ose social. Por nuk më ishte dhënë mundësia të realizoja një film të tillë. Filmi ka suspansë, ka efekte dhe ka një tjetër temporitëm, ndryshe nga ai i kinemasë. Këtu ndoshta duhet edhe pak plani i gjatë, do edhe pak kolonë zanore, do edhe suspansë më shumë që të mbajë të tërhequr. Në kinema mund të merresh me detajin, mund të merresh me teknologjinë, mund ta përkëdhelësh figurën, mund të gjesh një detaj të imët, diskret. Në filmin televiziv këto detajet e imta nuk kapen”, vijon Xhuvani, që nuk ka ndonjë shpjegim se si lindi ndjeshmëria për filmat e këtij zhanri.

“Në kërkim të kujt!!!” pritet të shfaqet brenda këtij viti. Është xhiruar në formatin dixhital, por mund mund të kthehet edhe në 35 mm. Është një prodhim i televizionit Top-Channel, i menduar qysh në kohën kur presidenti Dritan Hoxha ishte gjallë dhe hodhi idenë e krijimit të një prodhimi të tillë, në bashkëpunim me një staf italian teknikësh. Producent është Dritan Huqi.

 

Lufta gërryen edhe sot

Në filmin e fundit “Lindje Perëndim Lindje” (2009) me regji dhe skenar të Gjergj Xhuvanit në bashkëpunim me të atin, shkrimtarin dhe skenaristin Dhimitër Xhuvani dhe Jani Durin, Xhuvani (biri) pohoi se ky ishte filmi i fundit që ai realizonte me temë komunizmin. Ishte filmi përmbyllës i ciklit që nisi me filmat “I dashur armik” e vijoi me “Slogans”. Këtë herë është Lufta e Kosovës që ka zgjuar te regjisori dëshirën për të realizuar një film me temë mbi një ngjarje që ka kapur dekadën, por ka lënë gjurmë edhe në këtë kohë. “Ëngjëjt janë larg”-tani për tani ky është titulli i filmit-është një romancë dramatike (edhe zhanri nuk është fiksuar saktësisht) që rrëfen marrëdhënien e një çifti që e njohin njeri-tjetrin qysh në fëmijërinë e hershme. Djali është sllav (nuk ka shtetësi të përcaktuar), ndërsa vajza nga Kosova. Xhuvani tregon se filmi fokusohet te “kalvari i tërë jetës së çiftit. Aty rrëfehet sesi transformohen njerëzit, urrehen, dashurojnë, pra është një zigzake klasike e jetës”. Ai kërkon të tregojë në ekranin e kinemasë se çfarë është e aftë të bëjë lufta, sa plagë lë ajo në trupin dhe shpirtin e njeriut, si mund të zbuten ato, si mund të mbahen të mbyllura. Regjisori kujton që është një brez i tërë shkrimtarësh, Brezi i Humbur, “që mbetën skllevër të dramës që përjetuan nga lufta”. Personazheve të Xhuvanit nuk u vjen e keqja nga tjetri, por nga vetja. Ata duan t’i bëjnë ballë urrejtjes që lufta i ka lënë në shpirt. “Mesazhi i filmit lidhet me forcën që ka njeriu për t’u shkëputur nga dramat, nga dhuna dhe nga tmerri që pjell lufta. Forca për mbijetesën, jo mbijetesën fizike, por mbijetesën shpirtërore”. Do të jetë një bashkëpunim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë me producent Dritan Huqin në bashkëpunim me shtëpinë filmike Fast Rewind (Itali), me të cilën Xhuvani bashkëpunoi edhe për “Lindje Perëndim Lindje”

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit