Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Vitet e rindertimit, duke dale nga hija e politikes

Publikuar me : 21.09.2011 Ne : Kulture - 56 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Isabelle Huppert në filmin "Ççshtje grash", i Claude Chabrol-it


Elsa Demo

“Kosovë nuk do të thotë vetëm luftë. Ne vazhdojmë të flasim për Kosovën vetëm për arsye politike. Por tani, shteti më i ri i Evropës dëshiron ta tejkalojë të kaluarën.” Deklarata e organizatorëve të Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës, 24 shtator-1 tetor, sikur ka për qëllim ta mohojë politikën. Në Rajonin tonë ky pretendim alternativ shpreh dëshirën për të dalë nga hija e politikës duke e përdorur atë në një formë tjetër.

Komunikimi me artistë të kinemasë nga ish Jugosllavia, nuk ka qenë krejtësisht i hapur. Komunikimi edhe me atë pjesë që për arsye politike ka qenë e përjashtuar nga axhendat kulturore të Prishtinës, është një hap i menduar që po hedh në edicionin e tretë PriFilmFest.

Vjosa Berisha drejtoreshë e Festivalit, thotë se “pavarësisht tensioneve politike mes dy vendeve, këtë vit marrin pjesë në programin “Blood and Honey” kushtuar kinemasë ballkanike, disa kineastë serbë”. Kjo s’do të thotë që për hir të këtij misioni të tolerohet cilësia e programit.

Në programin “Gjak dhe mjaltë”, dy fjalë që i gjejmë shpesh pranë e pranë kur flitet për kulturën nga Ballkani, PriFilmFest prezanton kinemanë e re nga Ballkani, por edhe  regjisorë të talentuar e të afirmuar si maqedonasi Milcho Manchevski (Luani i Artë në Venecia 1994). Shfaqet “Nënat” filmi i tij i fundit. Zgjedhje të tjera për “Gjak dhe mjaltë” janë “Ngritja” Nemanja Becanovic, Serbi, “Këtu dhe atje” Darko Lungulov, Serbi, dhe “Pazari Ballkanik” i Edmond Budinës nga Shqipëria.

Nga programi i Projeksioneve PriFilmForum, shfaqet “Kinema Komunisto” Mila Turajlic, Serbi.

Prapë nga Serbia vjen e ftuar një yll i kinemasë nga dje në ish Jugosllavi dhe nga sot në shumë bashkëprodhime në Rajon. Aktorja Mirjana Karanovic e njohur për publikun që në filmat e rinisë së hershme të Emir Kusturicës (i padëshiruar në Kosovë për qëndrimin e tij antishqiptar deri në ditët e fundit të pavarësisë së Kosovës). Portreti energjik dhe loja dramatike e kanë karakterizuar profilin e Karanovic-it në më se tri dekada karrierë aktoriale. Ajo është parë nga publiku ynë si protagoniste te “Babai me shërbim” i Kusturicës më 1985 dhe në një film tjetër të tijin me sukses ndërkombëtar “Underground”, apo në “Fuçi baruti” të Goran Paskaljeviçit. Arritje ishte për të interpretimi në filmin bosnjak “Grbavica” Jasmila Zbanic, në rolin Esmasë, një grua myslimane e dhunuar nga serbët gjatë luftës në Bosnje (filmi fitoi Ariun e Artë në Berlinale 2006). Për këtë rol ajo është vlerësuar me disa çmime.

“Festivali ynë është një mundësi e madhe për të përhapur kulturën e Kosovës si dhe për të dhënë një tablo të ndryshme me atë që bota është mësuar të marrë prej nesh”, thotë drejtoresha Vjosa Berisha duke u përpjekur t’i shpallë disa nga qëllimet e këtij edicioni si pjesë e objektivave afatgjata. “Më e rëndësishmja është se PriFilmFest-i ka për qëllim t’i japë artistëve dhe filmbërësve tanë një mundësi për t’u hapur dhe për të kontaktuar me kinematografë dhe kineastë nga bota, duke marrë parasysh mundësitë e kufizuara për të udhëtuar në vende dhe festivale të ndryshme për shkak se Kosova nuk është e njohur ende nga të gjithë.” Do s’do, PriFilmFest  i përdor raportet që s’kanë të bëjnë me kinemanë, faktin që deri tani mbi 80 nga 192 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës e cila “shënoi ndarjen definitive pas vitesh të bashkimi të detyruar me Serbinë dhe një lufte që shkaktoi më shumë se 10.000 vdekje dhe eksodin e mbi 700.000 të dëbuarve”.

Por në konkurrim janë përfshirë filma nga Danimarka, Polonia, Franca, Maqedonia, Rumania dhe madje edhe Bosnja, (qeveritë e së cilave ende nuk e kanë njohur Kosovën).

PriFilmFest ka dy programe konkurruese për filmin e metrazhit të gjatë dhe metrazhin e mesëm. Në kategorinë e parë Shqipëria përfaqësohet me “Amnistia” i Bujar Alimanit dhe në kategorinë e metrazhit të mesëm ka përfaqësim me regjisorë të rinj.

Juria ndërkombëtare për konkurrimin kryesor drejtohet nga aktori Gedeon Burkhard, i njohur për interpretimin në “Inglourious Basterds” Quentin Tarantino. Ai prezantohet dhe në një film të ri, “Urat”, në konkurrim në kategorinë e metrazhit të mesëm.

Organizatorët e prezantojnë aktorin gjerman me gjithë sekretin e tij të vogël. Dhe për publikun shqiptar asnjëherë nuk është dhe aq i vogël një sekret që ka të bëjë me origjinën e gjakut. E pra Burkhard “është pasardhës apo stër-stër nipi i aktorit më të madh shqiptar, Alexandër Moisiut”.

Juria Ndërkombëtare jep gjashtë trofe, Hyjnesha e Artë, për Filmin më të mirë, Aktorin dhe Aktoren më të mirë, Regjisori më i mirë, Çmimi special i jurisë dhe Filmi më i mirë i metrazhit të mesëm.

Është botë shqiptare filmi i zgjedhur për të hapur festivalin e Prishtinës. “Falja e gjakut” i Joshua Marstonit, prodhim amerikano-shqiptar, ka projeksion special në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, më 24 shtator, ora 21.00. Regjisori amerikan Marston vjen nga Nju Jorku në Prishtinë për disa orë për të prezantuar premierën e filmit, fitues i Ariut të Argjendtë për skenarin, në Berlinale 2011.

Në programin e projeksioneve speciale janë filmat “Njëherë e një kohë në Anadoll” i regjisorit të shquar turk Nuri Bilge Ceylan dhe “Naderi dhe Simini” i regjisorit iranian Asghar Farhadi, fitues i Ariut të Artë, Berlinale 2011. Prezantimi i këtij të fundit bëhet nga Nader T. Homayoun, në kuadër të një takimi mbi kinemanë iraniane. Homayoun është autor i “Irani: Revolucioni Kinematografik”.

Me rëndësi, sipas organizatorëve, është zhvillimi për herë të dytë i Forumit të Koproduksionit. Më 25 dhe 26 shtator në PriFilmForum takohen producentë dhe regjisorë të vendeve fqinje, përfshirë Serbinë, nga ku do të vijë një numër producentësh të pavarur të vizitojnë Kosovën. Vijnë nga kompani prestigjioze të kooproduksionit si: EAVE, MEDIENBOARD, për të sjellë përvojën evropiane dhe mundësi për bashkëprodhime me Gjermaninë dhe Francën.

Gjithashtu, Drejtorët e fondacioneve të filmit në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni paraqesin gjendjen aktuale të kinematografisë në vendet e tyre. “Përveç shitjes dhe marketingut të filmit, po vazhdojmë të hulumtojmë mundësitë e financimit dhe kooproduksionit të projekteve filmike regjionale me vendet e zhvilluara europiane. Pa një bashkëpunim të tillë, vështirë se kinematografia e këtij regjioni mund të arrijë suksese” thotë Shkumbi Istrefi, drejtor i PriFilmFORUM. Të pranishëm nga Shqipëria janë Artan Minarolli, Sabina Kodra, Gentian Koçi, Pirro Milkani, Dritan Huqi dhe Iris Elezi.

Qëllim i forumit është që të vlerësohet mundësia e bashkëprodhimit midis vendeve të Ballkanit. Drejtoresha e Programit të Festivalit të Filmit të Sarajevës, Elma Tataragiq ka për të ndarë historinë e suksesshme të përvojës së vendit të saj në industrinë e filmit, ku Bosnja gjendet në krye të listës ballkanike me fitues të çmimit Oscar.

 

 

Në konkurrim për Hyjneshën e Artë

Metrazhi i gjatë

Dhoma 304, Birgitte Stærmose, Hyrja e shërbëtorëve, Philippe Le Guay, Francë, Panku nuk ka vdekur, Vladimir Blazevski, Maqedoni, Pagëzimi, Marcin Ërona, Poloni, Dashnori, Cătălin Mitulescu, Rumani, Strehimore, Dragomir Sholev, Bullgari, Belvedere, Ahmed Imamović, Bosnje, Dëshpërimi ynë i madh, Seyfi Teoman, Turqi, Amnistia, Bujar Alimani, Shqipëri.

 

Metrazhi i mesëm:

Bridges, Miguel Angel Pate, Angli, Era, Besim Ugzmajli, Shqipëri, Babai, Umut Dag, Gjermani, Piano, Levon Minasian, Francë, Automatik për njerëzit, Jan Vejnar, Çeki, Luaj me mua, Rafal Skalski, Poloni, Qentë e Ukrainës, Daria Onyshchenko, Gjermani, Ngushtë, Xhoslin Rama, Shqipëri, I panjohur në shtëpi, Lena Liberta, Gjermani, I ati, Viktória Dzurenková, Çeki, Këpucëtari, Artan Korenica, Shqipëri.

 

 

Claude Chabrol retrospektivë

Festivali i Prishtinës ia kushton Retrospektivën Franceze, regjisorit të shquar Claude Chabrol në përvjetorin e parë të vdekjes. Shfaqen “La Ceremonie”, “L’Enfer”, “Betty”, “Une Affaire de Femmes” dhe “Inspecteur Lavardin”.

Dhe një nga film nga François Ozon, “Vazoja”.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit