Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Viti 2011 ishte i Barcelones, Uruguajit dhe “kthetrave” te korrupsionit

Publikuar me : 29.12.2011 Ne : Sport - 46 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Në vitin kalendarik që do të lëmë pas katalanasit kanë qenë ekipi më i fortë i planetit, ndërsa Uruguaj theu hegjemoninë e Brazilit dhe Argjentinës në Amerikën Latine

Ryshfetet kanë bërë “pis” korridoret e FIFA-s dhe figura e presidentit Blater është njollosur kur Rusia dhe Katari fituan të drejtën për organizimin e botërorëve pas “Brazil 2014”

Futbolli në vitin 2011 u dominua nga ngjarjet jashtë fushës dhe jo nga ato në fushën e gjelbër. Barcelona dhe Lionel Mesi vazhduan të dhurojnë disa prej performancave më të bukura në historinë e futbollit, kurse Uruguaj la në hije Brazilin dhe Argjentinën në majën e futbollit të Amerikës së Jugut. Por lajmet kryesore të futbollit u përqendruan në akuzat për korrupsion dhe ryshfete ndaj FIFA-s.

Organizmi i futbollit botëror u sulmua nga akuza të rënda, ndërkohë që manovrat e prapaskenave dolën në dritë të diellit pas vendimit të FIFA-s në vitin 2010 për t’i dhënë të drejtën e organizmit të Kupës së Botës vendeve si Rusia dhe Katari. Sep Blater u rizgjodh si president i pakundërshtuar i FIFA-s, por u desh të vinte fundi i këtij viti që Blater të paralajmëronte reformat e shumëpritura.

Pozicioni i Blaterit në krye të FIFA-s u sigurua pasi rivali i tij i vetëm për presidencën, Muhamed bin Hamam i Katarit, u detyrua të tërhiqej nga zgjedhjet e qershorit për shkak të akuzave për korrupsion dhe më pas u pezullua përjetësisht për të drejtuar organizma të futbollit. Blater më pas ka deklaruar se Komiteti i Pavarur i Qeverisjes mund të shqyrtojë çështje të ndryshme, përfshirë dhënien e të drejtës së organizmit të Kupës së Botës Rusisë në vitin 2018 dhe Katari në vitin 2022.

Edhe çështja e para 10 viteve për ryshfetet që solli dorëheqjen e ish-Presidentit të FIFA-s, Zhoao Havelanzh nga IOC do të mund të rigjykohet. Havelanzhi 95-vjeçar, mentor dhe paraardhës i Blaterit, iu bashkua IOC në vitin 1963 dhe ishte anëtari i saj më i vjetër. Ai dha dorëheqjen në muajin dhjetor, disa ditë përpara se të përballej me një pezullim të mundshëm për marrjen e 1 milionë dollarëve si rryshet nga marrëveshjet e marketingut të Kupës së Botës kur ishte president i FIFA-s.

IOC e mbylli hetimin e vet pas dorëheqjes së Havelanzhit. Emërimi i një profesori të Universitetit të Bazelit, i cili ka qenë në ekipin që bëri një hetim të pavarur për korrupsionin e dyshuar në programin naftë për ushqim të Irakut, si udhëheqës i reformave i jep besueshmëri komitetit të Blaterit. Por mbetet për t’u parë nëse ky organizëm i kritikuar gjërësisht për mungesë transparence dhe llogaridhënieje do të jetë i gatshëm të bindet për nevojën e ndryshimeve rrënjësore.

Blater u detyrua të kërkonte ndjesë në muajin nëntor pasi shkaktoi zemërimin e lojtarëve, zyrtarëve dhe të sponsorëve pasi tha se incidentet raciale mes lojtarëve mund të mbylleshin me një shtrëngim duarsh në fund të ndeshjes. Çështja e racizmit ka dalë në sipërfaqe disa herë gjatë këtij viti. Kapiteni i Anglisë, Xhon Terri dhe sulmuesi uruguajan Luis Suarez janë të dy të akuzuar për abuzim racial ndaj kundërshtarëve, kurse trajneri i Francës, Lorent Blank, për pak sa nuk dha dorëheqje pas një polemike për kuotat e lojtarëve në qendrat stërvitore.

Blank e pranoi se gjuha e tij e ashpër në komunikimin me kolegët e Federatës Franceze të Futbollit ishte e gabuar, por debati ishte në lidhje me përfshirjen e lojtarëve afrikanë që kanë dyshtetësi. Blank doli i pafajshëm nga akuzat për diskriminim nga FFF-ja. Një tjetër sfidë me të cilën përballet Blater dhe FIFA është gjendja e përgatitjeve të Brazilit për të organizuar Kupën e Botës 2014, ku korrupsioni, përplasjet e brendshme dhe mungesa e progresit janë problemet kryesore.

Drejtuesi i komitetit organizator, Rikardo Teikseira, i lidhur me skandalin e korrupsionit të ISL-së, që fundosi Havelanzhin, është i përfshirë në akuzat për rryshfet dhe pastrim parash, nga të cilat dha dorëheqjen Ministri i Sporteve, Orlando Silva. Qeveria e Brazilit ende nuk ka kaluar në Parlament ligjet e nevojshme për organizimin e turneut dhe për të shpejtuar punimet për stadiumet.

“Komiteti Ekzekutiv është i shqetësuar për këtë”, ka thënë Blater. “Unë do ta çoj Kupën e Botës në një nivel presidencial dhe në muajt e parë të vitit 2012 do të shkoj të takoj presidentin e Brazilit”, ka thënë Blater. Si një shenjë e rritjes së tensioneve ndërmjet fraksioneve të ndryshme, Teikseira injoroi Pelenë nga hedhja e shortit për Botërorin 2014 në Rio në korrik, por presidenti i vendit, Dilma Rusef, e emëroi legjendën e futbollit brazilian si ambasador të qeverisë për Kupën e Botës 2014.

Futbolli brazilian u godit nga disa ngjarje në vitin 2011, ku veçohet vdekja e të famshmit Sokrates, i cili njihej edhe si një alkoolist i pandreqshëm. Një tjetër goditje për futbollin brazilian ishte shpartallimi i Santosit 4-0 në finalen e Botërorit të Klubeve nga Barcelona. Brazili kishte dështuar më parë të linte përshtypje në Kupën e Amerikës përpara se të humbte katër penallti në eliminimin 2-0 nga Paraguaj.

Nëse mund të shërbente si ngushëllim, Argjentina rivale u eliminua në të njëjtën fazë të kompeticionit po me penallti nga Uruguaj, që u shpall kampion më vonë. Me Diego Forlan dhe Suarez në sulm, Uruguaj përfitoi nga ecuria e mirë në Botërorin 2010 – ku shkoi deri në gjysmëfinale – dhe mposhti edhe Paraguajin 3-0 në finale duke fituar turneun e parë kontinental që prej vitit 1995. Por nuk pati diçka të tillë në Europë, ku Spanja është ende skuadra më e fortë.

Me yjet e Spanjës në skuadër, si Ksavi Hernandez, Andres Injesta, David Vila dhe Serxhio Buskets, Barcelona dominoi skenën e klubeve me titullin e tretë radhazi në Spanjë, me titullin e tretë të Ligës së Kampionëve në gjashtë vite dhe me trofeun e 13-të të trajnerit Pep Guardiola në 3 vjet e gjysmë të drejtimit të tij të këtij klubi. Siç pritej, lojtari më i mirë i Barcelonës nuk ishte spanjoll.

Mesi vazhdoi të krijojë paralele me të madhin Diego Maradona falë dribilimeve të tij të pandalshme, me golat e shumtë dhe me lojën plot imagjinatë. Argjentinasi e mbylli sezonin 2010-11 me 53 gola në të gjitha kompeticionet – përfshirë një gol në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Mançester Junajtid (3-1). Ai është thuajse i sigurt se do të fitojë për të tretin vit radhazi çmimin e “Topit të Artë” nga FIFA.

“Ne kemi lojtarë shumë të mirë në skuadër, por Mesi bën diferencën”, ka thënë Guardiola. “Ne mund të konkurrojmë, por pa të nuk do të kishim atë epërsi kualitative që kemi falë tij.” Në ngjarjet e tjera, Samoa Amerikane fitoi ndeshjen e parë në historinë e saj, Koreja e Veriut u përjashtua nga Kupa e Botës për Femra pasi pesë lojtare rezultuan pozitive për steroidë në kompeticionin e këtij viti, më shumë se 100 lojtarë  Under-17 në Kupën e Botës në Meksikë u testuan pozitiv për klenbuterol pasi kishin ngrënë mish në restorantet lokale, kurse trajneri i Uellsit, Geri Spid, u gjet i vetëvrarë në shtëpinë e tij.

Por një lajm i mirë për futbollin ishte suksesi i Japonisë në Botërorin e Femrave në Gjermani. Japonia ishte e shkatërruar nga një cunami dhe tërmeti, që la më shumë se 20 mijë njerëz të vdekur e të humbur, kurse lojtaret japoneze u betuan se do të frymëzonin atdheun e tyre me lojën në botëror. Ato arritën të shkonin deri në finale dhe madje mposhtën SHBA-të duke fituar 3-1 me penallti.

 

 

98943 spektatorë kanë parë Meksikën të mundë Uruguajin 2-0 në finalen e Kupës së Botës U-17 në korrik në “Azteka”, duke dhuruar edhe momentin më kulmor për një turne që pati 1,002,314 spekatorë në stadiume

 

178 ndeshje me përfaqësuesen, më e fundit ajo në humbjen 2-0 të muajit që shkoi kundër Brazilit, e kanë bërë Ahmed Hasan të Egjiptit lojtarin me më shumë ndeshje me skuadrën përfaqësuese në historinë e futbollit. Lojtari 36-vjeçar, i cili debutoi në vitin 1995, kishte nevojë për një tjetër ndeshje me “Faraonët” për të thyer rekordin e portierit të Arabisë Saudite, Muhamed Al Deajea, i cili luajti për herë të fundit në vitin 2006

 

150 ndeshje në nëntë vite, një muaj, dhjetë ditë dhe katër klube të ndryshme: ky është rekordi i pabesueshëm i mospësimit të humbjeve në fushën e vet që mbahej nga Hoze Mourinjo, por që u thye në muajin prill. Manolo Presiado ia doli aty ku dështuan 107 trajnerë të ndryshëm, kur Sporting Gijoni i tij u bë skuadra e parë që prej Beira Mar në shkurt 2002 që i mori pikë në kampionat Mourinjos në fushën e tij

 

110 vite radhazi në kategorinë e parë të futbollit morën fund për River Plejtin në qershor. Skuadra gjigante e Buenos Airesit ra për herë të parë në kategorinë e dytë pas barazimit 1-1 kundër Belgranos – ndeshja e tyre e nëntë radhazi pa një fitore – që vulosi humbjen 3-1 si rezultat total për plejofin e Promocionit

 

108 gola kanë shënuar së bashku Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi për sezonin 2011 për klubet e tyre. Sfiduesit e “Topit të Artë” kanë qenë në formë sensacionale edhe këtë sezon, teksa Ronaldo shënoi 53 gola në 51 ndeshje për Realin e Madridit, ndërsa Mesi shënoi 55 gola në 57 ndeshje për Barcelonën

 

100 vite durim u shpërblyen më në fund në tetor kur skuadra Molde e Norvegjisë e festoi sezonin e 100-të me titullin e parë kampion në historinë e klubit. Me Ole Gunar Solskjaer si trajner, klubi ‘Blåhvit’ (Bardheblu) hoqi më në fund nga shpatullat epitetin e nënkampionëve të përjetshëm

 

75 vite pjesëmarrje në turneut e FIFA-s sollën më në fund një trofe për Japoninë, kur fitoi Kupën e Botës për Femra në korrik. Japonia kishte marrë 22 humbje dhe tre barazime në 25 ndeshjet e mëparshme kundër SHBA-ve, por një triumf dramatik me penallti u dha atyre trofeun e parë, edhe pse u mundën në grup nga Anglia 2-0

 

57 vite pa një titull në kampionat morën fund për Lilën në muajin maj. Asnjë skuadër në historinë e kategorisë superiore franceze nuk kishte pritur më shumë për një titull pas titullit të fundit, prandaj për skuadrën e Rudi Garsias ishte një moment i paharruar fitimi i kurorës së tretë në Ligën 1 që prej vitit 1954

 

46 gola ishte rekordi i ri i skuadrës përfaqësuese të Spanjës i vendosur në muajin mars nga David Vila. Sulmuesi i Barcelonës, i cili tani e ka kaluar shifrën 50, me vetëm 72 ndeshje të luajtura e kaloi Raulin si golashënuesi më i mirë i Spanjës. Por Vila nuk qe i vetmi lojtar i Spanjës që theu rekord këtë vit, pasi edhe Iker Kasiljas vendosi një rekord të ri për numrin e ndeshjeve me përfaqësuesen, duke lënë pas Andoni Zubizarretën me ndeshjen numër 127 muajin që shkoi

 

32 gola, i fundit në barazimin 1-1 në tetor kundër Paraguajit, e kanë bërë Diego Forlanin golashënuesin më të mirë të të gjitha kohëve për Uruguajin. Sulmuesi i Interit ka lënë pas legjendarin Hektor Skarone dhe luajti në ndeshjen e tij të 84-rt, duke e thelluar rekordin e tij të ndeshjeve për përfaqësuesen. Në fillim të vitit, Forlan ndoqi gjurmët e të atit duke ndihmuar Uruguajin të fitonte kurorën e 15-të të Kupës së Amerikës

 

30 fitore radhazi të Brazilit ishte bilanci që më në fund u ndal në muajin shtator në finalen e Kupës së Botës për Futboll në Plazh. Përpara humbjes 12-8 nga Rusia në ndeshjen në Ravena, brazilianët ishin eliminuar në gjysmëfinale të edicionit 2005 nga Portugalia, por ishin mundur me penallti dhe nuk konsiderohej humbje në fushë

 

29 ndeshje pa humbje ishte bilanci i Boka Juniors në Apertura, duke u bërë skuadra e parë në 26 kampionatet e fundit në Argjentinë që nuk pëson humbje nga fillimi në fund. Boka pësoi vetëm gjashtë gola në tërë sezonin, duke përmirësuar rekordin e vet për golat e pësuar në formatin e tanishëm të kampionatit, që u vendos në vitin 1990

 

23 fitore, dy barazime dhe asnjë humbje ishte rekordi thuajse perfekt i Portos, e cila fitoi titullin në muajin prill, duke u bërë skuadra e dytë, pas Benfikës së sezonit 1972/73, që fitoi kampionatin portugez pa shijuar humbjen

 

19 tituj në kategorinë më të lartë të futbollit anglez ishte rekordi i radhës nga Mançester Junajtid, që u bë skuadra më e suksesshme e Anglisë, me një titull më shumë se rivalët e Liverpulit. Barazimi 1-1 me Blekbërn Roversin vulosi këtë arritje kulmore, por ishte gjithashtu dëshmitar i rekordit të Rajën Gigsit për numrin e ndeshjeve në Premier Ligë, duke thyer atë të Dejvid Xhejmsit (573 ndeshje)

 

15 milionë euro ishte shifra që Çelsi pagoi për të marrë trajnerin e Portos, Andre Vilas Boas, në muajin qershor, duke e bërë atë trajnerin më të shtrenjtë në historinë e klubeve. Një muaj më parë, Vilas Boas vetëm 33 vjeç e 213 ditë ishte bërë trajneri më i ri që kishte fituar një trofe evropian duke udhëhequr Porton në lavdinë e Ligës së Europës

 

13 nga 16 është numri i trofeve të fituar nga Barcelona nën trajnerin Pep Guardiola, pasi ata u kthyen nga Japonia me një tjetër trofe për kabinetin e tyre të trofeve. Fitorja 4-0 në finale kundër Santosit u arrit nga një skuadër me 11 lojtarë të akademisë së Barçës

 

5 gola u shënuan në finalen e Kupës së Botës U-20 në muajin gusht, kur finalja e luajtur në Kolumbi u bë finalja me më shumë gola në historinë 34-vjeçare të këtij turneu. Tre nga ata gola u shënuan nga një lojtar, braziliani Oskar, i cili nuk kishte shënuar asnjë gol në ndeshjet e mëparshme. Ai u bë edhe lojtari i parë që shënoi tre gola në një finale

4 tituj të Kupës së Azisë, i fundit i fituar në janar, e kanë bërë Japoninë skuadrën më të suksesshme të këtij kompeticioni. Duke mposhtur Australinë 1-0 në finale, “Samurajtë Blu” lanë pas Arabinë Saudite dhe Iranin, të cilat kanë nga tre tituj të Azisë

 

3 finalistë për të parën herë – Botsvana, Niger dhe Guineja Ekuatoriale – do të marrin pjesë në Kupën e Afrikës 2012 pas një fushate dramatike eliminatoresh në Kontinentin e Zi. Eliminatoret sollën zhgënjim për disa nga skuadrat më të njohura afrikane, pasi vetëm dy fitues nga 14 edicionet e mëparshme – Bregu i Fildishtë dhe Tunizia – kanë arritur të kualifikohen.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Salihi, i padeshiruari qe u kthye ne idhull

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Sport - Lexuar : 38 here.
Salihi, i padeshiruari qe u kthye ne idhullEdmond Sufaj Lojtari i kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi, është kthyer në një idhull tek skuadra e tij DC Junajtid në kampionatin amerikan. Kanë mjaftuar katër gola në pesë ndeshjet e tij të fundit me skuadrën, që Salihi, nga një i padëshiruar të kthehet në idhullin e kësaj skuadre. Kalimi i tij nga Rapidi i Vjenës tek skuadra e Uashingtonit u konsiderua blerja më e rëndësishme e kësaj skuadre. Por fillimi i tij nuk ishte i suksesshëm, pasi ambientimin me futbollin...Lexo te gjithe artikullin »


» Blater Percaktuesi i fituesit me penallti tragjedi, nevojitet zgjidhje alternative
» Qerimaj me doping Produktin e bleva ne supermarket
» Kombetarja e femrave, paraqitje kampionesh ne miqesore
» Shqiperia e De Biazit mposht Katarin ne Madrid
» Shqiperia mposht Katarin 2-1
» Apolonia siguron superligen pas triumfit ne derbin e Myzeqese
» Tomori mbetet ne superlige, Beselidhja e pafat
» Tirana fiton Kupen, mund Skenderbeun
» Skenderbeu shpallet kampion, ne play out luhet derbi i Myzeqese
» Tre shqiptare fitues te titullit ne tri shtete

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit