Publikuar me : 18.10.2011 Ne :
Politike - 98 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Të gjitha komunikimet sekrete në Republikën e Shqipërisë si dhe në ambasadat tona jashtë vendit nuk do të kryhen më nga Shërbimi Informativ, por nga Ministria e Mbrojtjes. Botimi në fletoren zyrtare i rregullores së re për shifrimin e dokumenteve dhe materialeve sekrete që qarkullojnë ndërmjet institucioneve, zbardhi edhe qëllimin e vërtetë të heqjes së drejtorisë së shifrës, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e rrjetit, shifrimin, dekriptimin e materialeve sekrete, nga struktura e SHISH-it dhe vendosjen e saj nën varësinë e qeverisë. Sipas vendimit, strukturat qendrore kriptografike do të ndërtohen në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Brendshme, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Shërbimin Informativ të Shtetit, por do të varen nga Mbrojtja
Rregullorja e re vjen pas dështimeve të ekzekutivit për marrjen nën kontroll të Shërbimit Informativ Shtetëror. Momentalisht në parlament po diskutohen tre ligje të ndryshme që prekin direkt shërbimin sekret. Ato janë ligji për mbikëqyrjen parlamentare të SHISH, ligji për SHISH dhe ligji për Shërbimin Informativ të Ushtrisë. Përveç këtyre, pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi dy vendime të reja që i heqin kompetencat SHISH-it, njëri prej të cilëve ishte heqja nga struktura e këtij shërbimi e Drejtorisë së Shifrës.
Vendimi lejon kryeministrinë të ketë akses në informacionet e klasifikuara sekret. Drejtoria e Shifrave ka qenë e përqendruar me shtab në mjediset e Ministrisë së Jashtme dhe merret kryesisht me deshifrimin e mesazheve që vijnë përmes kabllove. Kryesisht informacionet vijnë nga ambasadat tona jashtë vendit, ku përveç ambasadorëve raportojnë edhe punonjësit e shërbimit sekret. Nga ana tjetër shifrantët transmetojnë edhe informacione sekret brenda vendit. Çdo institucion bën pjesë në sistemin e kriptografuar dhe shkëmben informacione brenda vendit. Duke i hequr SHISH-it varësinë mbi Drejtorinë e Shifrave, do të thotë se kjo drejtori do të kalojë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Çdo institucion, ka njësinë e tij të kriptimit dhe dekriptimit shoqëruar edhe me pajisjet elektronike. Nga ana e saj, Drejtoria e Shifrës është institucioni që mbikëqyre të gjithë aktivitetin e tyre, sigurinë e pajisjeve, certifikon personat që administrojnë me materialet sekrete, etj., duke qenë pika e kontaktit të të gjithë informacionit sekret që qarkullon në vend. Më marrjen e tij nën varësi, qeveria ka marrë edhe administrimin e të gjitha materialeve të kriptuara duke ia hequr ato SHISH-it.
Pjesë e punës së Drejtorisë së Shifrës është edhe prodhimi i çelësave kriptografik, të cilët kanë funksion kodimin dhe çkodimin e materialeve të klasifikuara. Në rast të humbjes apo zbulimit dhe çelësi ka rënë në duar të personave të paautorizuar, është kjo drejtori që merr masat për mos rënien e materialeve sekrete nën administrimin e personave që nuk kanë një certifikatë sigurie në këtë drejtim.
Elementët e sigurisë
Siguria kriptografike” është aplikimi i masave të sigurisë ndaj informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, që qarkullon në kanalet e komunikimit masiv dhe publik, me qëllim mbrojtjen nga persona të paautorizuar.
Parimi “Nevojë për njohje” është parimi, sipas të cilit njohja me sistemet kriptografike lejohet vetëm për personelin e autorizuar dhe të pajisur me certifikatë sigurie të përshtatshme.
“Përgjegjësi individuale” do të thotë që çdo përdorues përgjigjet për sigurimin dhe kontrollin e materialit kriptografik që ka në administrim. Përdoruesi që ka të drejtën e njohjes dhe përdorimit të materialit kriptografik trajnohet dhe praktikohet. Përdoruesit e autorizuar për njohjen e sistemeve kriptografike nuk duhet të shpërndajnë informacionin kriptografik te persona të tjerë të paautorizuar.
Detyrat e drejtorisë së shifrës
Vendimi i qeverisë që i heq SHISH-it drejtorinë e shifrës i jep të drejtë qeverisë që të kontrollojë çdo informacion sekret në vend. Sipas ligjit, drejtoria e shifrës prodhon, siguron dhe aplikon pajisje kriptografike, siguron që materiali çelës kriptografik të jetë në çdo kohë në kushte pune dhe koordinon e kontrollon aktivitetin e strukturave kriptografike në institucionet shtetërore. Një tjetër detyrë e saj është prodhimi dhe shpërndarja e të gjitha çelësave kriptografikë.