Vlora perkujton I.Qemalin, Gjika Nuk e erresojne as rete historike, as ato politike
Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Sociale - 82 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Java e cila përkujton lindjen dhe vdekjen e Ismail Qemalit është përkujtuar sot në Vlorë me madhështi. Momenti që përkon me 100-vjetorin e pavarësisë është parë si më i favorshmi nga BashkiaVlorë për lançimin e aktiviteteve që nisin për 100-vjetorin e themelimit të shtetit. Ceremonia u mbajt në vendin që përkujton babanë e kombit, në lulishten te Sheshi i Flamurit.
Pasi kanë vendosur kurora në varrin e tij, kreu i bashkisë mbajti një fjalim. Ndërsa solli në vëmendje figurën e lartë të Ismail Qemalit, Gjika u shpreh se figura e tij po kërkohet të lihet në hije nga “spekullantë partiakë”.
Ai i ka transmetuar presidentit Topi propozimin e disa shoqatave për të vendosur në institucionet shtetërore foton e Ismail Qemalit.
“Në këtë kohë të turbullt të mbushur me “patriotë” politikë dhe “spekullantë partiakë” që serviren sikur “digjen” për Shqipërinë dhe etërit tanë themelues, nderimi për Ismail Vlorën është minimumi që Bashkia e Vlorës, dhe i gjithë qyteti ynë, mund të bëjë për Të, për qytetarët tanë, për Shqipërinë por edhe për brezat e ardhshëm.

Është ky nderim që nuk na lë dot të heshtim kur shohim sesi në këtë 100-vjetor të pavarësisë, në mënyrë tinzare dhe të djallëzuar, po përpiqet të anashkalohet Vlora, po synohet të lihet në harresë Flamuri, po kërkohet që të lihet në hije Ismail Vlora. Por nuk mund të errësohet dielli nga asnjë re e zezë, as nga retë historike dhe as nga ato politike. Nga ky vend ku jemi mbledhur, nga ky vend ku prehet burri i madh i kombit, ne i themi qeverisë ta shohë drejt në sy historinë dhe ta respektojë atë, të respektojë Vlorën dhe vlonjatët, të respektojë 28 Nëntorin dhe vetë Ismail Vlorën.
Në të kundërt, historia të ndëshkon. Nga ky vend unë i drejtohem Presidentit të Republikës, Zotit Bamir Topi, duke i propozuar vendosjen e këtij portreti në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë, në të gjitha zyrat dhe mjediset institucionale të Republikës së Shqipërisë”, tha Gjika në fjalën e tij.
Aktivitetet e ditës së sotme kanë vazhduar në teatrin “Petro Marko” me një montazh letraro-artistik.
Prefekti i Vlorës së bashku me deputetë të së djathtës në Vlorë dhe struktura të tjera të kësaj partie kanë shkuar për homazhe në një moment të dytë tek varri i Ismail Qemalit, duke preferuar të përkujtojnë të ndarë këtë ditë. /
Anila Peçi