Publikuar me : 30.12.2011 Ne :
Politike - 49 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kërkesat e partive të vogla për reformën zgjedhore janë legjitime. Kështu është shprehur dje ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, në një prononcim për mediat. Sipas tij, është klasa politike shqiptare ajo që vendos nëse propozimet e partive të vogla do të merren parasysh apo jo, por i rëndësishëm mbetet fakti që sistemi zgjedhor të jetë i qëndrueshëm.
Në kuadrin e reformës zgjedhore, partitë e vogla kanë kërkuar që ajo të jetë gjithëpërfshirëse. Pak ditë më parë, partitë e vogla të majta kanë zyrtarizuar kërkesën e tyre për ndryshim të sistemit zgjedhor, përmes një letre drejtuar Kuvendit. PSD, PDS e PSV i kanë dërguar Komisionit të Reformës Zgjedhore propozimet e përbashkëta për përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe të Kodit Elektoral.
Tre partitë e vogla të opozitës kanë propozuar ndryshimin e sistemit nga proporcional rajonal , në proporcional rajonal me korrigjim kombëtar. Ndërsa kryeministri Berisha, në një intervistë të fundit u shpreh i vendosur për të mos ndryshuar asgjë në sistemin zgjedhor aktual. Nga ana tjetër, partitë e vogla të majta dhe të djathta në një tryezë një muaj më parë u shprehën kundër listave të mbyllura pasi sipas tyre kjo dëmton parlamentarizmin.