Publikuar me : 13.07.2011 Ne :
Kronike - 172 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Policia në vendngjarje
Konflikti për pronën ka shkaktuar dy të vdekur në qytetin e Lezhës dje në orët e pasdites. Ngjarja ndodhi në Kallmet të Lezhës, ku viktima Preng Brunga dhe Pjetër Pjetri u vranë me armë zjarri pas një konflikti për motive pronësie.
Policia ka sqaruar dhe ngjarjen ku mbeten të vrarë Preng Brunga dhe Pjetër Pjetri.
Prenga, rreth orës 19:10, ka qenë në afërsi të banesës së tij në Kallmet të Vogël së bashku me dy fëmijët e tij, kur ka debatuar me Pjetrin, në lidhje me pronësinë e një sipërfaqe tokë të mbjellë me ullinj.
Pjetri, 43 vjeç, pak momente pas debatit ka qëlluar me një armë gjahu një herë mbi Prengën, 40 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në këto çaste Ylli, djali i Prengës, ka shkuar në banesën e tij e cila ndodhet në afërsi të vendit të ngjarjes dhe pasi ka marrë një armë gjahu teke, ka qëlluar mbi Pjetrin duke e plagosur rëndë, i cili pasi mori ndihmën e parë në spitalin Lezhë, ka vdekur rrugës për në Tiranë.
Ylli Prenga, 21 vjeç është arrestuar me akuzën “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike” dhe “mbajtje pa leje e armëve të gjahut”.
Lindita Kokaj