Publikuar me : 28.11.2011 Ne :
Sport - 38 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Arlinda Gjypi
Trajneri kombëtar i Uellsit, Geri Spid (Gary Speed) u gjet i varur në shtëpinë e tij në Çeshair. Ish-ylli i Lids Junaited, Evertonit, Njukasëllit dhe Boltonit, ishte 42 vjeç. Policia tha se nuk ka dyshime lidhur me vdekjen e tij. Besohet se është vetëvrasje. Trajneri Spid la pas gruan dhe dy djemtë.
Në një deklaratë për shtyp, Federata e Uellsit u shpreh: “Federata Uellsiane e Futbollit njofton vdekjen e trajnerit kombëtar Geri Spid. Shprehim ngushëllimet tona për familjen dhe i kërkojmë të gjithëve që të respektojnë heshtjen e familjes gjatë kësaj kohe”.
Zëdhënësi i policisë së zonës tha se “mëngjesin e së dielës në orën 7:08, policia u informua për një vdekje. Oficerët shkuan në vendngjarje ku u gjet i vdekur një 42-vjeçar. Më pas u konfirmua se identiteti i tij ishte Geri Spid. Nuk ka dyshime lidhur me vdekjen dhe familja kërkoi që të lihen të qetë në brengën e tyre. Trupi do të merret nga mjekët ligjorë”.
Pas mësimit të ngjarjes, sulmuesi i Mançester Junaitedit, Majkëll Ouen, i cili jeton pranë tij, shkroi në “tëitter”: Thjesht nuk mund ta besoj. U takua me njëri-tjetrin vetëm pak ditë më parë dhe çuam fëmijët në shkollë. Ndihem i mpirë”. Trajneri i Uellsit u shfaq të shtunën në emisionin “Futboll Fokus” të BBC-së. Gjatë këtij emisioni ai u shpreh se nuk kishte asgjë më të bukur në jetë sesa të luaje futboll. Ish-shoku i tij i kombëtares, Robi Savixh, u shpreh: “Komunikuam dje me telefon dhe folëm e qeshëm për futbollin. Ishte një shok i mirë skuadre dhe një mik i mrekullueshëm”. Ndërsa kryeministri i Uellsit, Keruin Xhons, tha: “Jam thellësisht i prekur nga vdekje e Geri Spidit. Është një lajm shumë i hidhur dhe secili prej nesh ndihet pranë familjes së tij në këtë kohë të vështirë për ta.”
Geri Spid luajti 85 ndeshje për vendin e tij gjatë një karriere ndërkombëtare 14-vjeçare. Ai u vu në krye të skuadrës kombëtare të Uellsit dhjetorin e kaluar pavarësisht se kishte vetëm 4 muaj përvojë drejtuese. Ditët e para të këtij muaji u përfol fakti që loja e kombëtares i kishte kaluar pritshmëritë. Miqësorja 4-1 përballë Norvegjisë ishte edhe fitorja e tretë radhazi për Uellsin dhe e pesta në 10 ndeshjet e Spidit si trajner.