Publikuar me : 03.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 85 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Frika e kthimit të vendit në një kazan plehrash të vendeve të tjera është konsideruar e pabazë deri më tani, por faktet tregojnë se të paktën Italia ka pasur në plan zgjidhjen e problemit të saj me mbeturinat duke i dërguar ato në vende të tjera. Këtë na e zbardh një kabllogram e Ambasadës Amerikane në Romë e dërguar në shkurt 2008, gjatë krizës së plehrave në Napoli.
Në kabllogramin e dërguar nga Ambasadori Amerikan në Romë, Ronald P. Spogli, pas një takimi me Kryeministrin Italian në detyrë, Romano Prodi paraqitet problematika që po kalon Napoli me plehrat, e shpërndara në atë kohë në çdo rrugë të qytetit dhe protestat që kishin filluar nga banorët e rrethinave kundër kthimit të zonave pranë tyre në vendgrumbullim mbetjesh. Krahas situatës në Itali, kabllogrami zbardh edhe fakte mjaft interesante që kanë të bëjnë me problematikën e Shqipërisë me plehrat, ligjin e miratuar së fundmi dhe rrezikun e kthimit të vendit tonë në një kazan gjigant plehrash të Italisë. Në shpjegimin që i dërgon eprorëve të tij në Departamentin e Shtetit, ambasadori amerikan Spogli, shpjegon se Italia ka marrë ndër të tjera në shqyrtim dhe se është më e lehtë t’i dërgojë mbeturinat e saj në vendet në zhvillim, por kjo nuk ishte kryer jo se ishte e pamundur, por Italia nga ana e saj nuk donte të krijonte imazhin se po shfrytëzonte vendet e varfra.
Mediet italiane ndërkohë, e kanë publikuar kabllogramin në fjalë me titullin; Prodi dhe plehrat: Ka tentativa për t’i dërguar në vende të botës së tretë. Kabllogrami njëkohësisht konfirmon faktin se për trajtimin e mbetjeve, shtetet harxhojnë miliona euro për të paguar kompanitë që marrin përsipër kryerjen e këtij procesi.
Por si funksionon në një pjesë të mirë trajtimi i këtyre mbetjeve? Raste të hetuara kanë zbardhur mekanizimin se si veprojnë grupe të ndryshme mafioze për zhdukjen e plehrave duke përfituar shuma të konsiderueshme. Qeveritë e vendeve të BE-së janë të interesuara që të gjejnë mundësi për të trajtuar mbetjet e tyre urbane, kimike, industriale, etj. Për të bërë këtë, kontraktojnë kompani të specializuara në këtë drejtim duke lidhur kontratën për një sasi dhe periudhë të caktuar. Pas lidhjes së kontratës, kompania merr përsipër trajtimin e mbetjeve kundrejt pagesës. Trajtimi ndërkohë ka koston dhe përfitimin e lartë njëkohësisht duke e bërë një terren shumë të lakmuar për grupet mafioze. Për të shmangur koston e trajtimit, mafia preferon të gjejë forma alternative, një ndër të cilat është edhe dërgimi në vende të botës së tretë, groposja, apo fundosja e anijes në det.
Dërgimi në vendet e botës së tretë bëhet ose nën një mbulim ligjor ose duke korruptuar pjestar të administratës apo shtetarëve të shtetit pritës. Shumat e mëdha të përfituara në këmbim, ia lejon atyre të paguajnë mjaft para vetëm të gjejnë hapësira për eleminimin e plehrave.
Deri më tani, viktima të konfirmuara të këtij aktiviteti të paligjshëm kanë qenë shtete të tilla si Somalia apo Rumania, ndërkohë që jo më larg se një vit më parë u zbulua se mjaft anije me këto mbetje janë mbytur qëllimisht në det. E nëse deri më tani kemi shembuj, këto vende, të cilat janë helmuar nga ndikimi i interesave të mafias, kush na siguron që viktima e radhës nuk do të jetë Shqipëria?
Pjesë nga kabllogrami
Dërgon: Ambasadori amerikan në Romë Ronald P. Spogli
Datë 13.02.2008
Objekti: Prodi nuk sheh zgjidhje për problemin e plehrave
Statusi: Konfidencial. Deklafisikohet në vitin 2018
Kodi: 000196
Fillimi
3. Për sa i përket krizës së plehrave në Napoli, Prodi (i cili sapo kishte takuar Komisarin e Emergjencës së Plehrave, De Xhenaro) konfirmoi se nuk kishte një zgjidhje të lehtë afat-shkurtër. Italia ka marrë në shqyrtim dërgimin e plehrave në vendet në zhvillim, por më pas vendosi që për jo, për të evituar mendimet se (Italia) donte të shfrytëzonte vendet më të varfra. Ndërkohë, do të vazhdojë dërgimi I plehrave në Gjermani ku do të trajtohen në incenerator të teknologjisë së lartë me një kosto të përballueshme për qeverinë.
# # #
Mbaron kabllogrami