Publikuar me : 07.07.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 235 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kush kam ndërmend të importojë një makinë të vjetër me naftë duhet ta rishikojë edhe një herë vendimin e tij. Sistemi i ri i taksimit të makinave të përdorura në Shqipëri favorizon në mënyrë të dukshme prodhimet e reja dhe rendon ndjeshëm prodhimet e vjetra që punojnë me naftë. Gazeta publikon sot draftin e sapo përfunduar të Ministrisë së Financave në lidhje me taksat e reja të makinave bashkë me formulën e përllogaritjes së saj. Taksa bazohet mbi cilindratën e makinës, llojin e karburantit si dhe vitin e prodhimit. Për këtë të fundit, në shërbim të formulës, Ministria e Financave ka përgatitur një tabelë të posaçme me koeficientet fiks për çdo vit. Sa më i largët viti i prodhimit, aq më i madh koeficienti dhe rrjedhimisht aq më shumë taksë do të paguajë pronari i makinës. Edhe për karburantet, hartuesit e draftit kanë vendosur koeficient të posaçëm, 20 për benzinën dhe 25 për naftën. Me këtë ligj, Ministria e Financave i bashkon katër taksa, në një të vetme e cila do të paguhet në momentin e kryerjes së kontrollit teknik të automjetit.
Sipas ligjit, makinat e reja deri në tre vjet nuk do të paguajnë asnjë taksë. Më pas, taksimi rritet në mënyrë progresive në raport kalimin e viteve. Kështu përshembull, nëse makina është prodhuar në vitin 2008, ajo nuk paguan asnjë taksë në momentin e hyrjes në vend, taksimi fillon pas një viti me koeficient minimal, 0.18. Në vitin e mëpasshëm, i cili përllogaritet si viti i pestë, taksa e makinës përllogaritet sipas koeficientit 0.19 e kështu me radhë. Sipas kësaj logjike, taksa rritet në mënyrë progresive. Në rastin konkret, një makinë e vitit 2007 me fuqi motorike 1 400 me benzinë sipas formulës ( Cilindratë 1 400 kubikë X Taksa fikse e karburantit 20 X Koeficienti fiks 4 vjet – 0.18) do të paguante 5 040 lekë. Një vit më pas, e njëjta makinë do të paguajë 5 320 lekë.
Karburantet, rritje e re taksash nga janari 2012
Ligji i ri ka ulur në mënyrë të ndjeshme taksat për përdorimin e automjeteve në vend, por me sa duket kjo nuk do të përkthehet në ulje të kostos vjetore të mbajtjes së një makinë në Shqipëri. Kjo, pasi ulja e taksave për makinat do të shoqërohet me rritje te taksave për karburantet. Ministria e Financave ka propozuar vendosjen e një takse të re me vlerë 5 lekë për litër për naftën dhe benzinën që prej këtij muaji. Detyrimi i ri në ligj, cilësohet si: Taksa e qarkullimit dhe do të jetë e barabartë si për naftën ashtu edhe për benzinën. Madje, në draftin e Ministrisë së Financave parashikohet një rritje tjetër e kësaj takse për vitin 2012. Duke filluar nga janari 2012, taksa e qarkullimit mbi naftën dhe benzinën do nuk do të jetë më 5 lekë për litër por 7 lekë për litër. Mbetet e pandryshuar taksa e karbonit, për naftën 3 lekë për litër dhe për benzinën 1.5 lekë për litër. Madje, qeveria ka menduar të vjelë taksë karboni edhe për qymyrin, solarin dhe mazutin në masën e 3 lekëve për litër.
Gjithsej, deri në fund të vitit 2012, shqiptarët do të paguajnë minimumi 7 lekë më shumë për çdo litër naftë apo benzinë të blerë. Kjo rritje pritet të ndikojë menjëherë në shtrenjtimin e çmimit të karburanteve me të paktën pesë lekë për litër për këtë vit dhe shtatë lekë për litër vitin tjetër. Në këtë mënyrë, qeveria parashikon të taksojë më shumë ata që përdorin më tepër automjetin e tyre.
Emirjon Senja