Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Zbulimi i kendshem me Sofien

Publikuar me : 22.12.2011 Ne : Kulture - 71 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

 “Sofia e Kominĭatëve” shkruar nga Francesco Antonio Santori (1819-1894) sheh dritën e botimit dhe ulet në vendin e mbetur bosh në pritje të romanit të parë të letërsisë shqipe e ku bëjnë rojë “Shkodra e Rrethueme” 1913, e Dom Ndoc Nikajt dhe dy romane të Foqion Postolit.

Dihej prej kohësh që dorëshkrimi i Santorit ekzistonte por askush s’i kishte hyrë punës me për një botim kritik të romanit në arbërisht i shkruar në vitet ’70 të shek. XIX.  E tani, në sajë të punës pesëvjeçare të dr. Merita Sauku-Brucit, e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, kërkuese pranë Departamentit të Studimeve të Evropës Lindore të Universitetit të Napolit “L’Orientale”, “Sofia…” ekziston, fillimisht në kopje të kufizuara. Ekziston bashkë me personazhet e ambientit kalabrez e arbëresh gjatë gjysmës së parë të shek. XIX, me referimet ndaj kulturës popullore të arbëreshëve të kohës kur Santori shkroi e jetoi, me traditën e valljeve e ruzalleve, në një kontekst kalabrez më të gjerë që po kërkon të shkëputet nga feudalizmi i së shkuarës.

Megjithëse shumë nga veprat e Santorit kanë ngelur pa botuar, “botimi i kësaj vepre plotëson një zbrazëti në historinë e prozës dhe të gjithë letërsisë shqipe dhe do të ndikojë për një lexim ndryshe të letërsisë shqipe të shek XIX”, thuhet në njoftimin për shtyp të këtij departamentit pranë Universitetit të Napolit.

Ky botim kritik paraprihet nga një studim i Prof. Italo Costante Fortino, i Universitetit “L’Orientale” të Napolit, mbi letërsinë arbëreshe të shek. XIX.

Në intervistën për “Shekullin”, dr. Bruci, e cila ka punuar së fundi edhe dorëshkrimet e tekste filozofike të Arshi Pipës, del në përfundimin se filologjinë shqiptare e pret një rrugë e gjatë për të riparë gjithë situatën e teksteve të vjetra shqipe.

 

Çfarë arsyesh e kanë mbajtur romanin “Sofia e Kominiatëve” larg dritës së botimit?

Para se të rendis arsyet dëshiroj të them që ky roman na vjen sot pas rreth 150 vitesh nga koha kur është shkruar. Dorëshkrimet e tij në variantet arbërisht dhe italisht, në një gjendje ende të deshifrueshme, kapin shifrën prej 1000 faqesh dhe ruhen aktualisht në Bibliotekën Qytetëse të Kozencës (Itali). Ekzistenca e tyre është e përmendur në burime të ndryshme, por puna për ta nxjerrë në dritë është e mundimshme dhe merr shumë kohë. Alfabeti në të cilin është hartuar romani është i hartuar nga Santori vetë, pra i ndryshëm nga ai i Manastirit dhe problemet që shtrohen para filologut për zgjidhje kërkojnë një impenjim dhe përkushtim të madh. Për këtë arsye vetëm një projekt shkencor universitar mund të krijojë kushtet dhe konsulencën e duhur shkencore për t’i dhënë studiuesve dhe lexuesve një tekst që respekton besnikisht vullnetin e autorit dhe gjendjen gjuhësore të shqipes në kohën kur u shkrua vepra. Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Napolit “L’Orientale” dhe Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike e bëri të mundur këtë botim.

 

I shkruar në arbërisht, çfarë dëshmon ky tekst për zhvillimin e hershëm të shqipes?

Arbërishtja në vetvete përben një fazë të rëndësishme për studimet diakronike të shqipes. Me zhvendosjen e tyre nga Arbëria ballkanike në atë italike, arbnorët morën me vete dhe trashëguan gjuhën, doket e zakonet. Faktorë socialë, gjeografikë, historikë ndikuan në zhvillimin “ishullor” të tyre dhe për fatin tonë të mirë edhe në ruajtjen e gjuhës. Pra e zhvilluar në izolim ajo ruajti e trashëgoi deri më sot tipare arkaike të shqipes. Dokumentimi i këtyre të folmeve nëpërmjet shkrimit nga shkrimtarët italo-arbëreshë të këtyre trevave përbën një burim të paçmueshëm për studimet gjuhësore.

 

Në drejtim të letërsisë, për mënyrën e strukturimit të romanit, për idetë, dhe protagonizmin femëror, a është vlera e romanit po aq e parë?

Romani është i ndarë në tre libra e seicili libër në kapituj. Ka dy linja, e para ndjek fatin e Sofies, vashë shqiptare e rrëmbyer nga piratët në brigjet e Arbërisë dhe fatkeqësitë që nuk i ndahen deri në vdekje. Linja e dytë ndjek të vëllanë e Sofies, Janjin, i cili rritet me dëshirën për t’i marrë hakun së motrës. Një strategji e tërë rrëfimi, një galeri personazhesh të spikatur dhe përshkrime të gjalla i japin jetë romanit. Por le t’ia lemë studiuesve dhe kritikës të thonë fjalën e tyre.

 

Autori është klerik, vini re influenca të këtij statusi?

Është e vërtetë që At Frangjisk Anton Santori i përkiste urdhrit françeskan. Trashëgimia jonë letrare ka shumë klerikë që kanë ndjekur në mënyrë të ndërgjegjshme përpos vokacionit fetar edhe atë letrar. Të mos harrojmë që atëbotë figura e vetme që ndihmonte për arsimimin e shkollimin ishte prifti i fshatit. Edhe diçka tjetër. Vetë hapja e kolegjeve fillimisht me karakter fetar, e më pas edhe me një orientim laik në Kalabri e Palermo, shërbeu si një djep ku u rritën e u përgatitën lëvruesit e gjuhës e letërsisë arbëreshe. Vështirë të ndash në këto raste klerikun nga atdhetari, nga lëvruesi i gjuhës, nga mbrojtësi i të mirës dhe fshikulluesi i të keqes.

 

Kur thua letërsi e shkruar në arbërisht, thua De Rada. A ka vend mes tij dhe Santorit për krahasime?

Po ju përgjigjem si filologe. De Rada pati mundësinë që talentin e vet jo vetëm ta ushtronte, por edhe të botonte, e për pasojë edhe të njihej më shpejt e më mirë. Santori, nuk pati mundësi të botonte në gjallje të tij, veç disa poezi, shkrime a përkthime me karakter fetar. Vonë disa nga veprat e tij, kryesisht romancetat kanë dalë në botime kritike. Santori është i pari që ka lëvruar disa gjini në letërsinë shqipe, dramën, melodramën, komedinë, satirën, fabulën, romanin në vargje dhe së fundmi romanin. Për mua Santori është ende i pazbuluar e i pabotuar si duhet. Më pas mund të gjykojmë.

 

Romani është shkruar në alfabetin e hartuar nga Santori e që ju keni respektuar vullnetin e tij në transkriptim: mund të jepnit një ilustrim si tingëllon kjo gjuhë?

Shkrimtarët arbëreshë kanë shkruar kryesisht në të folmen e katundit ku u lindën e u rritën. Pra gjuha e tyre reflekton tipare dialektore lokale. Santori shkon më larg. Ai zgjedh të lërë pas një dokument historik të shkrimit shqip, kështu që zgjeron gjeografinë e të folmeve duke përdorur edhe forma që vijnë nga të folme fqinje e më gjerë. Detyra e filologut është ta sjellë të pacenuar këtë gjuhë të autorit.

 

Çfarë e bën të vështirë besnikërinë ndaj kësaj gjuhe?

Për të mbërritur deri tek transkriptimi më është dashur të studioj të folmen e katundit të Santorit (Picilia) apo të të folmeve fqinje, të bëj verifikime në terren, të studioj të gjithë veprën e Santorit në shtypshkrim a dorëshkrim, të konsultoj zgjidhjet që kanë bërë kuratorë të botimeve kritike të tij (Gradilone, Fortino, Solano), traditën arbëreshe e shqiptare të botimeve kritike, më pas kam bërë transkriptimin fonematik, duke zgjidhur shkallë-shkallë problemet e dekodifikimit të tekstit dorëshkrim, të ndarjes apo bashkimit të fjalëve, duke evidentuar dhe lënë gjurmë për zgjidhjen e problemeve që kam hasur. E quaj veten me fat që kam pasur ndihmën e pakursyer dhe konsulencën shkencore të prof. Italo C. Fortinos dhe të kolegëve të mi në Institutin e Gjuhësisë (QSA).

 

Çfarë ndryshimi sjell në hierarkinë e historisë së letërsisë dalja e botimit kritik të romanit të parë?

Ka një parim në filologji: rezultatet në të cilat ti mbërrin janë gjithnjë të përkohshme, për sa kohë që kërkimet e zbulimet mund të sjellin të dhëna të reja. Sot për sot dalja në dritë e këtij romani në arbërisht përbën një zbulim të këndshëm e me plot të dhëna për shkencën letrare shqiptare dhe hershon me 50 vjet shfaqjen dhe lëvrimin e kësaj gjinie ndër ne.

 

Në ç’fazë është filologjia moderne shqiptare? A pritet që me botime të këtij lloji të përmbyset situata e teksteve të vjetra?

Nëse do ta kufizonim brenda kufijve të Shqipërisë kemi një rimarrje të traditës filologjike të vonuar por që gradualisht po fiton terren. Mund të them se po fillon të ndryshojë raporti ndërmjet veprave që po dalin në botim kritik dhe botimeve vullnetmira a divulgative. Situata mbetet gjithsesi problematike. Kjo për shumë arsye: trashëgimi letrare e shkruar me alfabete të ndryshme, rrallëni dokumentesh, vështirësi për t’i gjetur a shfrytëzuar, arkiva shtetërore, ministrish, biblioteka që fshehin dokumente të pazbuluara, letërsi e shkruar nën censurë, autocensurë, poetë e shkrimtarë të dënuar së bashku me veprën e tyre. Për të mos folur pastaj për mënyrën se si na është ofruar kjo letërsi në botimet shkollore, me shmangie nga origjinali i veprës apo i përshtatur në standard.

 

Mund të rindërtonit me pak fjalë profilin njerëzor dhe intelektual të Santorit dhe misterit që i prin?

Ne nuk kemi sot një portret të Santorit, nuk dihet as ku është varrosur dhe në korrespondencën e tij shprehet se nuk ka dashur të lërë asnjë gjurmë të tij. Megjithatë burime indirekte e përshkruajnë si një njeri të gjallë, gojëtar të shkëlqyer e për dikë që do ta njohë veprën e tij kur të shfaqet e plotë do të dijë të ndjejë ndërmjet rreshtave njeriun që s’u lodh së lexuari e së shkruari shqip me qëllimin e vetëm për të dokumentuar e pasuruar gjuhën e tij, për të ndihmuar e nxjerrë nga injoranca bashkëfshatarët e tij.

Historia

Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Pallatin e Baronit Batixhera, në Rosano të Kalabrisë, ku mbërrin, pas mbytjes së anijes Sofia, një vashë e re shqiptare. Në gjysmën e parë të shek. XIX, mbijetonte në Itali zakoni që të pasurve t’u dërgoheshin vajza të reja. Dhe Sofia, e nisur të vej nuse tek princi shqiptar Ajdin, pas mbytjes së anijes, do t’u dorëzohet fillimisht cubave e më pas Baronit. Përfundim tragjik: në të njëjtin pallat të Baronit mbërrin edhe Ajdini, i plagosur nga piratët. Aty gjen Sofien e sëmurë. Të dy të pafat shuhen në krahët e njëri-tjetrit. Romani ngelet i hapur: së bashku me Sofien ka mbërritur edhe Janji, vëllai i vogël i Sofies, që bëhet dëshmitar i vuajtjeve të së motrës e të kunatit. Zemra e tij dylufton ndërmjet dëshirës për të marrë hak dhe gjendjes ku ndodhet.

Autori di të verë në dukje stilet e jetesës, mentalitetin, doket, rolet dhe sjelljet e personazheve të ambientit kalabrez e arbëresh gjatë gjysmës së parë të shek. XIX, me referime interesante ndaj kulturës popullore të arbëreshëve të kohës kur shkroi e jetoi, me traditën e valljeve e ruzalleve, në një kontekst kalabrez më të gjerë që po kërkon të shkëputet nga feudalizmi i së shkuarës.

 

Puna me dorëshkrimet

Botimi kritik është bërë në dorëshkrimet e Santorit, që ruhen në Bibliotekën Qytetëse të Kozencës, ndërmjet të cilëve filologia Sauku-Bruci ka gjetur edhe një studim të vetë Santorit mbi alfabetin e romanit. Vëllimi i parë paraqet tekstin në arbërisht të romanit Sofia e Kominĭatëve, i transkriptuar në alfabetin e sotëm të shqipes dhe respekton veçantitë gjuhësore të autorit. Zbatohet parimi i filologut klasik Pasquale Baffi nga Shën Sofia (1749-1799) mbi “përkohshmërinë e rezultateve të arritura”, një kriter i njohur për shkencën filologjike evropiane.

Tekstit të romanit i paraprin një trajtim i problemeve që lidhen me dorëshkrimin dhe kriteret e përdorura gjatë transkriptimit. Ndërsa vëllimi i dytë, që përmban tekstin e romanit në gjuhën italiane dhe konkordancat e leksikut në arbërishte do të dalë së shpejti nga shtypi.

 

Gjuha

Gjuha e romanit Sofia e Kominĭatëve dallohet për një larmi frazash të ndërthurura mirë për të argumentuar më së miri kompleksitetin e rrëfimit; paraqitet edhe me një leksik të pasur, i cili i përket pasurisë leksikore që ishte ruajtur e gjallë në të folmet e komuniteteve arbëreshe, me gjasë edhe me terma të huazuara nga vepra Cuneus Prophetarum e Pjetër Bogdanit; vetë  Santori e përmend si një burim nga ku ka marrë shumë terma. Në bazë mbetet e folmja e komunitetit të tij.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit