Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Zhargoni antikomunist

Publikuar me : 12.12.2011 Ne : Kuriozitete - 96 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Ardian Vehbiu

Ka qëlluar, në Shqipëri, që çdo lëvizje politike e respektueshme të jetë identifikuar, mes të tjerash, edhe me një formë specifike të shqipes; duke e projektuar ideologjinë në gjuhë.

Rilindja zgjodhi të fliste një shqipe të qëruar nga turqizmat dhe greqizmat; regjimi i Zogut e kërkoi legalitetin në elbasanishten; komunistët standardizuan toskërishten, duke i mveshur gegërishtes atribute të ligjërimit të Tjetrit, ose të armikut Përtej.

Në filmat “me spiunazh” të Kinostudios Shqipëria e Re, ky armik shquhej menjëherë nga zhargoni gjeografik, i mishëruar në idiolektin e Ndrek Lucës, të filtruar përmes ajrit malor të Alpeve, ose të shpellave ku fshiheshin diversantët.

Nëse polisi totalitarkishnevojë vërtet për të krijuar barbarët e vet, kjo mund të diskutohet; por këta “barbarë” nuk ishin gjë të detyruar, as të dënuar të zhdukeshin me shembjen e ngrehinës totalitare, krizës së homogjenitetit kulturor dhe të aparatit shtypës të regjimit.

E krijuar si me shaka, nga totalizuesit dhe inxhinierët e “tipikes” në letërsi dhe në art, gegërishtja si dialekt i antikomunizmit erdhi dhe u bë realitet.

Në foton e mëposhtme, botuar këto ditë në shtyp, më tërhoqi menjëherë vëmendjen dicitura “TE PUSHKATUEM” e tabelës me foto të viktimave të terrorit komunist. Nuk i identifikoj dot ato viktima, por besoj se nuk do të gaboja, po të mendoja se ka pasur në ta toskë dhe gegë; dhe se plumbi i regjimit nuk i ka përzgjedhur për nga prejardhja gjeografike, as për nga fonetika e shqiptimit.

Totalitarizmi rrafshoi diferencat; por në këtë kontekst, edhe gegërishtja letrare përfundoi “e pushkatueme”. Që këtej, edhe revanshi i rreshtimit të saj në ballë të demonstratës antikomuniste.

Mirëpo antikomunizmi, në Shqipërinë e sotme, s’është më shumë se skenar për teatër kukullash; sepse në Shqipëri nuk ka më komunistë si të tillë, me përjashtim të pak grupeve radikale, të organizuara si klube të librit.

Në Shqipëri ka ish-komunistë, ish-antikomunistë, ish të persekutuar, dhe ish-persekutues; të cilët tani po e vazhdojnë luftën e djeshme të klasave në një përmasë virtuale.

Edhe gegërishtja letrare po i konsumon betejat e veta (donkishoteske) me standardin në këtë përmasë; duke u artikuluar në ankime dhe sfida, ose në prova laboratorike të ekzistencës dhe efikasitetit.

Ndonjë derdhje aksidentale e këtij virtualiteti në realitet, si ky i tabelës në foton më sipër, veç na kujtojnë se çfarë pjese e jetës sonë, si shoqëri, ka mbetur peng i së kaluarës.

Mirëpo identifikimi i gegërishtes letrare me anti-komunizmin është i rrejshëm, dhe për më shumë se një arsye.

Mes viktimave të shumta të regjimit komunist ka pasur edhe të pushkatuem, edhe të pushkatuar; deri më sot, nuk di të ketë bërë kush krahasimet, dhe të ketë parë nëse vërtet dhuna klasore është ushtruar mëfortndaj gegëve sesa ndaj toskëve.

Ajo përplasje e armatosur, që për disa historianë është luftë e forcave antifashiste kundër bashkëpunëtorëve të pushtuesit, ndërsa për disa të tjerë luftë civile mes komunistëve dhe nacionalistëve (Ballit Kombëtar) u shtjellua pothuajse e tëra në Jug; në një kohë që Veriu e njohu dhunën komuniste disi më vonë, për arsye strategjike.

Gjithsesi, këto çështje mbeten për t’u ndriçuar. Mirëpo, ndërkohë, teza dinake se anti-komunizmi është geg, ndërsa komunizmi tosk – për ta thënë në mënyrën më të trashë të mundshme – ka hedhur rrënjë në psikologjinë kolektive; madje po përdoret edhe me synime politike sa praktike aq edhe të paturpshme.

Provë, sado e tërthortë, e këtij mistifikimi, madje abuzimi me historinë, është edhe kjo martesë, kaq artificiale, e diskursit anti-komunist me gegërishten letrare, dhe veçanërisht shkodranishten e katolikëve.

Pa çka se krushqia, për një martesë të tillë kaq përçarëse, zuri fill, madje u mpiks që në vitet e komunizmit; ose gjatë torturave që ia bënë, kinematografikisht, të ndjerit Ndrek Luca.


Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Mishmashi i arsimit shqiptar

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 25 here.
Agim Fjolla Në Londrën e para pavarësisë shqiptare lindi një debat publik pas vjedhjes së një prej galerive private të artit që zotëronte një koleksion të veçantë veprash nga rilindja italiane. Roja i turnit të natës i ishte dorëzuar gjumit dhe këtë dobësi të moshës e kishte përdorur hajduti i cili vodhi plot pesë piktura. Kjo ngjarje shërbeu si nisje e një debati ku përzihej detyrimi moral me detyrimin ligjor ku njëra palë e hidhte rojën në anën e fajtorëve...Lexo te gjithe artikullin »


» Puna e mjekut flet me shume
» Ambasada ne Itali na ka mbyllur deren
» Kamikazet e drejtesise perballe vellezerve Deda
» Si e njoha Niko Agon
» Amnistimi i Serbise
» Bashkemoshatareve te mia
» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit