Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Zonja bullgare Shikojini c’mrekulli!

Publikuar me : 06.07.2011 Ne : Kulture - 189 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Elsa Demo

Axinia Dzurova, drejtuese e qendrës së kërkimeve sllavo-bizantine “Ivan Dujçev” me qendër në Sofje, i dorëzoi dje Arkivit Qendror të Shtetit studimin e saj “Manuscrits grecs enluminés des Archive nacionale de Tirana (VIe-XIVe siècles)”. Dr. Dzurova vjen prej vitit 2007 në AQSH për këtë botim të dorëshkrimeve të dekoruar të periudhës bizantine (dy vëllime, në gjuhën frënge).

Në kuadrin e të njëjtës marrëveshje ku kontribut ka edhe Qendra e Studimit të Dorëshkrimeve “Vestigia” Grac, po punohet për një botim faksimile të kodikut të Vlorës nr. 10 (shek. XIV). Dr. Dzurova, specialiteti i të cilës është historia e artit mesjetar, flet në intervistë për rishikimin e datimit të kodikëve të koleksionit shqiptar dhe vlerat e rralla në artin e dekorimit.

 

Zonja Dzurova, çfarë po i dorëzoni sot Arkivit?

Jam historiane e artit. Kam studiuar filologji në Sofje dhe histori arti në Moskë. Puna ime ka qenë gjithmonë dekorimi i dorëshkrimeve. Kur pashë kodikët tuaj mendova që duhej të bëhej diçka. Prof. Agamemnonas Celikas ishte një nga pak kolegët që dinte se ç’përmban arkivi juaj. Shënimet e Theofan Popës, përbëjnë një bazë, të pasur, të thellë. Ai ka bërë punën më të vështirë. Dy vëllimet që sjell sot me vete janë studime të 14 dorëshkrimeve me dekorimet përkatëse. Është fillim i punës që do të bëjnë kolegët e rinj, Sokol Çunga dhe Andi Rembeci.

 

Çfarë mund të thoni me siguri?

Që në 40 vjet punë me dorëshkrimet sllave dhe greke në Kiev, Moskë, San Peterburg, Jeruzalem, Vatikan, dorëshkrimet që kam parë këtu janë të ndryshëm. Kolegët e mi të Evropës njohin shumë mirë atë që është bërë në Konstandinopojë, por nuk njohin atë që u bë në Gadishullin Ballkanik, në Greqinë Kontinentale dhe Epir. Ju them se pata frikë kur pashë se një dorëshkrim i fundi të shek. X, ishte datuar i shek. XIV. Diferenca është me katër shekuj! Erdha në Arkiv dhe më thanë: keni të drejtë, duhet të ndryshojmë datimin e këtyre dorëshkrimeve! Beratinus 25 dhe 28 janë datuar të shek. XIII kur në fakt, janë njëri i fundit të shek. IX dhe tjetri i fillimit të shek. X. Dy kodikët e famshëm të Korçës, 92-93, janë të shek IX-X. Kodiku i Vlorës nr. 10 që ishte datuar i shek. XII është i shek. XIV-XV. Ndryshimi i datimeve është normal, sepse shkenca zhvillohet me argumente dhe kundërargumente, bëhen botime të reja që ju nuk i kini në dispozicion. Prandaj mendova të bëj disa shkrime për secilin kodik dhe të japë mendimet e mia për datimet e reja. Puna e Theofan Popës është e pabesueshme. Duhet të zërë vendin e nderit, por ai nuk kishte botime. Është një traditë që nuk e njohim dhe ekspozita që do të bëjmë së afërmi në Sofje ndihmon në këtë drejtim. Tani janë të gjitha mundësitë që të krijoni një shkollë paleografësh grekë këtu në Tiranë në bashkëpunim me kolegët tanë.

 

Arti i dekorimit të koleksionit shqiptar çfarë i shton peizazhit të dorëshkrimeve greke të së njëjtës traditë?

Për ekspozitën “Bizanti pa kufij” me dorëshkrime greke të dekoruara në Gadishullin Ballkanik, kemi vendosur për 120 dorëshkrime greke dhe 100 janë të shek. IX. E imagjinoni? Kjo do të thotë se më shumë se gjysma janë të periudhës më të rëndësishme të kulturës codex në Bizant. Sepse menjëherë pas ikonoklastëve, në Konstandinopojë u krijua një model se si duhet të jetë një dorëshkrim i shkruar në minuskul. Koleksioni juaj dhe i yni, në Sofje, të jep një përshtypje më të gjerë se si ishte dorëshkrimi i kësaj periudhe. Kodikët e Korçës për shembull, janë influencuar nga tradita paraikonoklaste dhe nga inovacionet që u krijuan në Konstadinopojë. Qëllimi im është që të tregoj se ky model nuk u krijua dhe as u pranua menjëherë, dhe jo gjithçka që u krijua në Konstandipojë u imponua. Periferia ndjek rrugën e saj.

 

Çfarë të dhënash të reja keni për vendin e prodhimit?

Këto dy dorëshkrime, janë bërë në Konstandinopojë. Po këto dy të tjerët ku janë bërë vallë? Të influencuar nga tradita paraikonoklaste, nga dorëshkrimet gjeorgjiane? Sepse në shek. IX-X kishte manastire murgjish gjeorgjianë në Konstandinopojë. Po ju tregoj dhe një shembull të rrallë teksti i shkruar në formë kryqi. Është karakteristikë e shkollës së Konstandinopojës. Te ky kodik kemi aluzionin e liturgjisë qiellore dhe të tokës, kishës. Koncepti është që e gjitha që ndodh në qiell, ndodh edhe në kishë. Simbol i kishës është kryqi, prandaj i gjithë kodiku është shkruar në kryq. Ja, kjo është puna ime, të komentoj këto lloj gjërash.

 

Cili është tipari më karakteristik i dekorimit?

Po ju tregoj një dorëshkrim të pabesueshëm, i influencuar nga Orienti. Në dorëshkrimet greke stili më i famshëm është stili floreal. Dorëshkrimet e Beratit janë ekzemplarë të këtij stili.

 

Pse menduat për një botim më vete të Kodikut të Vlorës nr. 10?

Sepse, shikojeni, është një mrekulli! Në takimin tim të parë me drejtoreshën e AQSH Nevila Nika më 2008, kalonim nëpër korridorin e Arkivit i mbushur me ilustrime të Kodikut të Vlorës nr. 10. Vërej se datimi ishte shkruar i shek. XI-XII, që akoma vazhdon të jenë në korridor. Më falni, them, por duhet të jetë i shek. XIV. Kodiku i Vlorës është prodhim i Manastirit Odegon, njëri nga të famshmit manastire të shek. XIV në Konstandinopojë. Tipi i shkrimit është i Odegonit. Është një traditë e cila përsërit traditën e shkrimit të shek. XI-XII si, për shembull, shkrimi dorëshkrimit të famshëm të Jeruzalemit. Edhe dekorimin filluan ta përgatisin në mënyrë të veçantë. Ky është zhvillim i stilit bizantin floreal.

Botimi i këtij kodiku mbetet për vitin e ardhshëm. Unë e quaj me rëndësi të shpjegoj për publikun e gjerë se ç’është periudha e paleologëve, pse ky kodik i përket kësaj periudhe, çfarë thotë Ungjilli. Mendojmë për të bëjmë një botim trigjuhësh, shqip, anglisht e frëngjisht.

 

Kujt i përkiste Kodiku?

Është një dorëshkrim i bërë për një person të shtresës më të lartë sociale. Nuk është për liturgjinë e përditshme, por për përdorim vetjak. Ky kodik tregon se si është zhvilluar kultura e kodit grek në fund të jetës së vet, deri në rënien e Konstandinopojës. Kodi vazhdoi të ketë jetë deri nga shek. XIX, por me përsëritjet e asaj që ishte krijuar tashmë deri në shek. XIV. Është një nga më të bukurit dorëshkrime që është krijuar në Konstandinopojë në periudhën e shek. XIV-XV. Pa folur për kodikët Beratinus, në bazë të të cilëve mund të rindërtohet se si ishte teksti i katër ungjijve.

 

 

I dimë arsyet përse mburremi?

Sokol Çunga/ Specialist i AQSH

Lista më e vjetër që kemi sot për disa nga dorëshkrimet (ose librat) që ruhen në AQSh vjen nga shek. XIV, kur në kapakun e diptikut të kishës së Shën Gjergjit (ndodhet në Kala të Beratit), Murgu Teodul shkruan aty një listë me librat që shpëtoi nga bastisja e “frankëve kampanezë” (emërtim i çuditshëm, sepse në histori nuk kemi informacion për frankë kampanezë) dhe i çoi ata në vend të sigurt. Përshkruan Teoduli 27 libra dhe disa sende të tjera të shenjta që përdoreshin në adhurimin e krishterë në kishë.

Më emblematiku ndër gjithë ata që kanë punuar me Fondin 488 është Theofan Popa, i cili u përpoq të hartonte pasaportat e kodikëve, të cilat kishin qëllim ndihmues në punën e përditshme të arkivistëve. Këtë punë e vazhdoi nga vitet ’60 deri pak para vdekjes. Na la, si rezultat, atë që sot njihet si “Katalogu Popa”, botuar për herë të parë post mortem më 2003 nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Të gjithë e huaj dhe vendas kanë përdorur, me ose pa referencë, katalogun e Popës. Me gjithë mangësitë që ka, Popa është ai që gjithmonë tërheq vëmendjen e të gjithë studiuesve, pasi përshkruan 97 nga 100 kodikët dhe 17 fragmentet e Fondit 488.

Hartimi i një katalogu çfarëdo që lidhet me librat mesjetarë apo edhe ata të periudhës së Rilindjes evropiane, qofshin këta të shkruar me dorë, qofshin shtypshkrime, është gjithmonë punë që zgjat në kohë dhe kërkon pjekuri. Për çdo studiues të librit, qoftë nga pikëpamja artistike, qoftë nga ajo tekstologjike, katalogu është fillimi i gjithçkaje, është ai mbi të cilin bazohen të gjithë studiuesit. Prandaj dhe, katalogu i dorëshkrimeve të dekoruar të AQSh, përveç se është një lloj pasaporte me më shumë të dhëna mbi identitetin e koleksionit të këtushëm, është pikë kyçe në studimin e mëtejshëm të tyre. Jo domosdoshmërish pikënisja, por mbetet referencë e përhershme, sa herë që trajtohen kodikët në fjalë. Është ngjarje e madhe për historinë e artit dhe shkencën e paleografisë, për studiuesit e shkencave teorike në përgjithësi dhe për bizantinologët në veçanti, por edhe për publikun tonë shqiptar. Sepse mburremi për këto pasuri, por pa qenë fort të sigurt dhe pa arritur të argumentojmë se cila është arsyeja që mburremi.

Vjen, tani, Aksinia Dzurova me punimin e saj, përmbledhjen e artikujve për kodikët bizantinë të dekoruar të AQSh. E rëndësishme është njohja e këtyre librave të veçantë. Ata janë aty, tani duhen kuptuar, dikush duhet t’i bëjë të flasin, në mënyrë që t’i kuptojmë sipas koncepteve të sotshme, pa harruar të sotshmen. Ky është qëllimi i të gjithë atyre që merren qoftë me studime, qoftë me hartime katalogësh apo përshkrimesh sipas një disipline të caktuar.

 

 

Bizanti pa kufij

Më 22-27 gusht 2011, në Sofje të Bullgarisë zhvillohet Kongresi i 22-të Ndërkombëtar i Studimeve Bizantine. Ditën e parë inaugurohet ekspozita “Bizanti pa kufij” ku paraqiten një numër i madh librash mesjetarë nga Ballkani dhe Evropa. Pjesë e ekspozitës është Arkivi Qendror Shtetëror me 12 nga kodikët e Fondit 488, që paraqiten të plotë, të periudhës bizantine dhe fund-bizantine (shek. IX – XIV), dhe me nga 1 fragment prej kodikëve të Beratit nr. 1 dhe nr. 2 (Beratinus Purpureus shek. VI, dhe Aureus Anthimi, mesi i shek. IX). Në grupin e punës për ndërtimin e ekspozitës është Dr. Dzurova.

 




 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit